Kukës/ Furgonin plot me duhan, arrestohet 38 vjeçari nga Shkodra

Një 38 vjeçar është arrestuar në Kukës pasi në fugonin të cilin e drejtonte, u gjetën rreth 800 kg duhan pa faturë shoqërimi.

I arrestuari është identifikuar si E.A., 38 vjeç, banues në Grudë Fushë, Malësi e Madhe. Duhani u gjet në formën e gjetheve të thata.

“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, kanë goditur një rast të kontrabandës me mallra për të cilat paguhet akcizë. Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi E. A., 38 vjeç, banues në Grudë Fushë, Malësi e Madhe.

Në aksin rrugor Kukës-Morinë është ndaluar mjeti tip furgon me drejtues shtetasin E. A. Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, brenda në furgon u gjetën dhe u sekuestruan 800 kg duhan (gjethe duhani të thata), pa faturë shoqërimi“, njofton Policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.