Transparency International: Shqipëria, asnjë përparim në luftën kundër korrupsionit

Viti 2020 solli një tablo të zymtë përsa i takon korrupsionit në botë, ku shumica e vendeve ka bërë pak ose aspak përparim në drejtim të luftës ndaj kësaj dukurie.

Në raportin e përvitshëm për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit në botë, organizata Transparency International thotë se korrupsioni jo vetëm minoi përgjigjen globale ndaj pandemisë COVID-19, por kontribuoi në një krizë të vazhdueshme të demokracisë.

Zeri i Amerikes duke iu referuar raportit të fundit të Transparency International, tha sot se dy të tretat e vendeve ose kanë mbetur në vend ose kanë pësuar rënie përsa i takon luftës kundër korrupsionit. Shqipëria dhe Kosova kishin 36 pikë në një sistem llogaritjeje të indeksit ku 100 pikë do të thotë mungesë korrupsioni dhe zero, korrupsioni më i lartë. Kolegia Keida Kostreci njofton:

Korrupsioni vazhdon të mbetet një problem madhor në Shqipëri dhe Kosovë, që pengon përparimin demokratik dhe frenon aspiratat e qytetarëve për një jetë më të mirë, sipas Transparency International.

Krahasuar me vitin e kaluar, Shqipëria ka një pikë më shumë, ndërsa Kosova nuk ka ndryshuar numër pikësh, por të dyja vendet janë në grupin e vendeve me korrupsion të lartë dhe pa përparim në luftën kundër tij.

Shqipëria është dy vende më lart sesa vitin e kaluar, ndërsa Kosova tri vende më poshtë, por vetë organizata u kushton më shumë rëndësi pikëve.

“Metodologjia jonë e vë theksin më shumë tek rezultatet e vendeve ndërsa renditjet janë gjithmonë relative dhe varen nga ecuria e vendeve të tjera”, thotë për Zërin e Amerikës Lidija Prokic, Këshilltare Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore në këtë organizatë.

Zonja Prokic thotë se ngecja në këtë nivel për pothuajse një dekadë tregon mangësitë në sundimin e ligjit.

“Pa këtë sundim funksional të ligjit, institucionet nuk janë në gjendje të punojnë në mënyrë efektive dhe të ndjekin rastet e korrupsionit”, thotë ajo.

Zonja Prokic thotë gjithashtu se ajo që ndikon tek mungesa e përmirësimit është ndikimi politik mbi sistemin gjyqësor, mungesa e kapacitetit të institucioneve dhe mungesa e pavarësisë së institucioneve gjyqësore kryesisht për të proceduar rastet e korrupsionit.

Këto dukuri thotë ajo, i sheh si në Shqipëri, edhe Kosovë, po ashtu si edhe prirjen për mungesë transparence kur bëhet fjalë për prokurimet publike.

“Dhe nuk flas vetëm për procesin e prokurimit kur tenderët shpallen dhe vendosen, por kjo vlen edhe për menaxhimin e kontratave publike. Është shumë e rëndësishme që kjo të bëhet në një mënyrë transparente dhe të sigurojmë që këto kontrata të mos merren vetëm nga kompanitë që janë pranë vendim-marrësve në institucionet shtetërore”, thotë ajo.

Një nga aspektet që ka analizuar për vitin 2020, Transparency International është edhe lidhja mes shkeljeve të standardeve demokratike në përgjigjen ndaj COVID-19-ës dhe nivelit të korrupsionit në vend. Sa më i lartë korrupsioni, aq më të larta shkeljet.

Shqipëria

Raporti i këtij viti ka analizuar se si gjithë këto mangësi janë reflektuar edhe tek pasojat për COVID-in dhe Transparency International ka ndeshur probleme në këtë drejtim në Shqipëri.

“Kemi vërejtur shqetësime në lidhje me transparencën edhe në prokurimin publik të lidhur me COVID-in. Dhe kjo është diçka që me të vërtetë meriton shumë vëmendje nga ana e qeverisë. Do të ishte shumë inkurajuese nëse qeveria të reagonte për ato shqetësime”, thotë zonja Prokic.

Por shqetësimet shtrihen përtej zbatimin e rregullave anti-korrupsion.

“Kanë të bëjnë edhe me trajtimin e shoqërisë civile dhe trajtimin e mediave të pavarura dhe gazetarëve investigative. Jemi dëshmitarë që pretendimet e tyre shpesh hidhen poshtë dhe se ata trajtohen si një lloj opozite në vend që të shihen si një faktori korrigjues në shoqëri”.

Duke iu referuar paketës anti-shpifje, zonja Prokic thotë se është një çështje shumë e ndjeshme dhe se këto veprime kanë ndikim tek lufta kundër korrupsionit.

“Ato jo vetëm që shkelin lirinë e shprehjes së qytetarëve, por gjithashtu frenojnë, ose më saktë kanë një efekt frikësues dhe paralizues tek njerëzi që ndoshta mund të vendosnin të raportonin raste korrupsioni ose të paraqisnin prova për akuzat për korrupsion”, thotë zyrtarja e Transparency International, sipas VOA.