Laporta sulmon PSG-në: Duhet të ndalin së foluri për Messi-n, nuk është me vend që...

Një muaj e gjysmë larg zgjedhjeve te Barcelona, ??të shtyra për në 7 mars, për shkak të pandemisë së koronavirusit, kandidatët për president folën sot përpara mediave. Joan Laporta, favoriti aktual ka sulmuar klubin e PSG-së, në lidhje me Lionel Messi-n. Ai është shprehur se është mosrespekt ndaj Barçës që klube si PSG të thonë publikisht se do të nënshkruajnë me argjentinasin.

"Klubi ynë duhet të jetë i aftë t’i bëjë një propozim të mirë, që Messi ta pranojë. Kjo gjë varet nga Barcelona. Unë do të kuptoja çdo përgjigje nga Messi, por ai duhet të dijë se cili është propozimi. Kjo kërkon urgjencë. Po bëhet gjithnjë e më e komplikuar për t'ia bërë një propozim bindës. Ai është i lirë të negociojë me klube të tjera tani, ndërsa Barça është akoma pa president.

Është mosrespekt për Barçën që klube si PSG të thonë publikisht se do të nënshkruajnë me Messin. Kjo vjen nga një klub-shtet, që ka anashkaluar rregullat. Ne nuk mund t'iu lejojmë klubeve dhe shteteve luksin e destabilizimit të një klubi tjetër.

Në këtë kuptim, ne do të duhet të flasim me UEFA-n dhe FIFA-n për të shmangur veprime të tilla. PSG duhet të ndalet së foluri për Messin. Nuk është me vend që një klub tjetër të flasë për të. Dhe, për momentin, nuk kemi as president që t'i përgjigjet kësaj mungese respekti".