Trajneri bën premtimin e çuditshëm: Po eliminuam Juventusin, do heq dorë nga ëmbëlsirat

SPAL-i do të ketë një mision edhe më të vështirë, sesa kualifikimi ndaj Sasuolos, në 1/8-at e Kupës së Italisë, teksa sot në mbrëmje do të ketë përballë Juventusin.

Trajneri i skuadrës së Serisë B, Paskuale Marino, i cili në karrierën e tij i ka mundur 4 herë bardhezinjtë, është gati që të firmosë që ndeshja të shkojë te penalltitë dhe më pas të provojë fatin e kësaj “lotarie”.

“Në karrierën time e kam mundur 4 herë Juven, por këtë herë do të jetë edhe më e vështirë ndaj tyre. Duam të avancojmë në Kupën e Italisë dhe pse jo të kopjojmë Alkojanon ndaj Realit. Objektivi i parë është ta ndalim Juven në kohën e rregullt, pse jo të shkojmë me penallti, pasi aty vendos më shumë fati. Dhe nëse ia dalim të kualifikohemi, premtoj se do heq dorë nga ëmbëlsirat”, tha tekniku i SPAL, skuadër ku aktivizohet portieri i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha.