Vonesat e vaksinave, Conte: Do hapim procese gjyqsore me Pfizer dhe AstraZeneca

Kryeministri italian Giuseppe Conte ka paralajmëruar se do të hapë procese gjyqësore për kompanitë Pfizer dhe AstraZeneca.

Kjo vjen pasi këto kompani kanë vonuar dërgesat e vaksinave kundër koronavirusit në Itali. Conte tha se në këtë mënyrë do të mbrohen qytetarët italianë, ndaj do të kërkojë që marrëveshjet të respektohen.

“Pfizer-Biontech ka komunikuar një ngadalësim në shpërndarjen e dozave të programuara në vendet e BE dhe penalizon vendet që, si Italia janë të detyruara të ngadalësojnë vaksinimin”.

“Nëse do të konfirmohej reduktimi prej 60% i dozave që do të shpërndahen në tremujorin e parë, kjo do të thotë se 3.4 milion doza do të dorëzohen në Itali në vend të 8 milion dozave”.

“Ngadalësimi në shpërndarjen e vaksinave është një shkelje serioze e marrëveshjeve dhe po shkakton dëme të mëdha në Itali dhe vendet e tjera evropiane, me pasoja të drejtpërdrejta për jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, por edhe për strukturën tonë shoqërore dhe ekonomike, e cila tashmë është prekur rëndë nga një vit pandemik”, tha Conte.