Vrasja/ Gruaja police e Arben Bilalit kërcënon me jetë prokurorin

Prokurori i Rrethit Gjyqësor Tiranë, Bajram Breçani është kërcënuar me jetë. Ngjarja ka ndodhur dje në orët e pasdites.

Mësohet se Prokurori ishte i ulur në një lokal përball shkollës ‘Harry Fultz’ në momentin që është kërcënuar. Po ashtu është zbuluar edhe identiteti i kërcënueses, e cila është një grua me inicialet M.B.. Kjo e fundit mban detyrën e oficeres së policisë dhe është gruaja e të ndjerit Arben Bilali.

Prokurori që është kërcënuar ka hetuar vrasjen e bashkëshortit të saj, Arben Bilalit.

I dyshuar i kësaj vrasje ka qenë Gjergj Cukali, ku ndonëse prokurori e ka arrestuar për ngjarjen, Gjykata e Apelit i ka dhënë lirinë.

Gruaja e viktimës Bilali duket se e ka kërcënuar për herë të tretë prokurorin e çështjes.

I kontaktuar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, prokurori Bajram Breçani tha: "Kam njoftuar drejtuesit e policisë së shtetit, Ardi Veliu, dhe zyrtarë të tjerë në lidhje me ngjarjen e ndodhur dhe pres prej tyre reagim ligjor. U kërcënova për shkak të detyrës dhe kjo është hera e tretë, për një çështje për të cilën vendimarrja ka qenë tërësisht e gjykatës".