Kim Mehmeti padit gazetën Tema për shpifje: Bëri mëkatin që nuk falet

Shkrimtari dhe analisti Kim Mehmeti ka paditur gazetën Tema për shpifje.

Ai e bën të ditur këtë gjë në një njoftim në FB.

“Një portal (gazetë) nga Tirana që merret me ‘Tema’ të mëdha në mbrojtje të shqiptarisë, çka nuk ka shkruar për mua: se jam terrorist islamik, se jam ideologu i ISIS-it, se..., se....

Por kurrë nuk jam marrë me të sepse kryesisht kanë qenë ofendime personale, sepse e kam ditur se të merresh me këtë gazetë është njësoj si të hapësh kapakun e gropës septike, ku zbrazen ujërat e zeza të ‘gazetarisë’ që është vënë në mbroje të ‘Rilindjes’.

Pastaj e kam ditur se nuk mund të depërtojë asgjë njerëzore te ‘Imerat”, truri i të cilëve mund të trillojë edhe monstruozitete të përmasave se gjyshi është baba i nipit?!

Por kësaj radhe, ky portal ka bërë mëkatin që nuk falet: më përdor mua për të lënduar e ofenduar një pjesë të popullit tim, duke më vënë në gojë thënie që mbase don t’i thonë vetë drejtuesit e kësaj gazete.

Andaj e kam autorizuar avokatin tim në Tiranë që të ngre aktpadi kundër kësaj gazete, për shpifje,” shkruan Mehmeti.