Zjarr në fabrikën e prodhuesit më të madh të vaksinave anti-Covid

Një zjarr ka përfshirë një fabrikë të Institutit Indian të Serumeve, që njihet si prodhuesi më i madh i vaksinave në botë.

Sipas Associated Press, zjarri mund të ndikojë në shtimin e prodhimit të vaksinave anti-Covid.

Akoma nuk dihet se çfarë e shkaktoi zjarrin në godinën që gjendet në qytetin Pune në Indi. Një zyrtar i zjarrfikëseve tha se kanë shpëtuar tre persona, ndërsa nuk ka të lënduar.

Kompania tha se kjo fabrikë e re do të rriste prodhimin e vaksinave anti-Covid. Në deklaratën e tyre thuhet se zjarri nuk ka ndikuar kapacitetet aktuale të prodhimit dhe as stokun prej 50 milionë dozash.

Instituti Indian i Serumeve pritet të prodhojë të paktën 1 miliard doza vaksinash vetëm për vaksinën e Oksfordit.

Kjo kompani shpreson që të prodhojë të paktën 2.5 miliard vaksina në total deri në fund të këtij viti.