Skandalet shokuese në spitale dhe dorëheqja e një kryeministri

Shqipëria u trondit nga ai që ka nisur të etiketohet gjerësisht si ‘Skandali i Tires’.

Arsyeja nuk ishte se zbuluan korrupsionin galopant dhe gjendjen skandaloze të spitaleve, por sepse kryeministri i vendit të tyre u tha se ky ishte një rast i veçuar, duke i paraprirë hetimeve të prokurorisë.

Por disa ditë më vonë, skandalet u thelluan dhe u pa se Tirja nuk ishte aspak rast i veçuar, pasi në spitale po vidhen të gjallët dhe të vdekurit.

Një qytetar, djali i një 58-vjeçari, denoncoi se babait të tij, i cili ishte i shtruar në spitalin COVID 1 pasi ishte infektuar me koronavirus, i kanë vjedhur paratë që kishte në portofol.

Ndërkohë, një rast i ngjashëm u denoncua në media, ku një viktime nga COVID-19 i kanë vjedhur një pajisje oksigjeni me vlerë 5 mijë euro.

Kjo është vetëm pjesa që shohim në media ose ndryshe maja e ajsbergut.

Por mjafton një shembull nga Mongolia e largët për të parë se sa reagojnë drejtuesit e një shteti përballë skandaleve.

Kryeministri i Mongolisë ka dhënë dorëheqjen, raporton Guardian, pasi një grua me Covid, e cila sapo kishte lindur beben, u filma teksa dërgohej në spitalin infektiv me pizhamet e maternitetit dhe shapkat plastike edhe pse temperaturat ishin minus 25 gradë.

Protestat shpërthyen në vend dhe kryeministri Khurelsukj Ukhnaa dha dorëheqjen duke pranuar se janë bërë gabime në trajtimin e gruas shtatzënë.

Dorëheqje dha edhe zv/kryeministri si kryetar i komisionit të emergjencave që trajton pandeminë.

Po ashtu u larguan edhe ministri i shëndetësisë dhe drejtuesit e maternitetit dhe spitalit infektiv.

Ta mendosh që nuk po flasim për Gjermaninë e Francën, për Mongolinë. As asaj nuk i afrohemi dot.