'Do dyfishohemi në detin Jon'/ Kryeministri grek falenderon Ramën

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka mbajtur sot një fjalim me tone të forta patriotike në parlamentin grek, i cili është mbledhur për ta certifikuar me ligj përfundimisht zgjerimin deri në 12 milje në detin Jon.

Mitsotakis, duke mbrojtur këtë projektligj deklaroi se pas kësaj territori grek rritet me 10% dhe ata do të dominojnë tashmë në ujërat e detit Jon.

Duke iu referuar çështjes së Shqipërisë, Kyriakos Mitsotakis ka përmendur si alibi të fortë për këtë hap të Greqisë, edhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, duke përmendur se ai deklaroi qartë se është e drejtë e Greqisë të zgjerohet me 12 milje.

“Ministri i Jashtëm grek bashkëpunoi me homologun e tij shqiptar dhe tani çdo mosmarrëveshje me Tiranën do të adresohet në një gjykatë ndërkombëtare. Kryeministri i Shqipërisë deklaroi në mënyrë të qartë se shtrirja në 12 milje detare është një e drejtë e patjetërsueshme sovrane e Athinës, duke shtuar një argument tjetër në favor të pozicionit tonë se ujërat e Mesdheut mund të bashkohen në vend që të ndajnë popujt", tha Mitsotakis.

Por duket se plani grek nuk përfundon me kaq. Pas këtij zgjerimi kryeministri Mitsotakis premton se hapësira e ujërave greke në detin Jon do të dyfishohet.

“Sot, me fillimin e vitit 2021, ne hedhim hapin e dytë të madh thelbësor. Vendi ynë shtrin zgjerimin e tij në Detin Jon në 12 milje. 4 muaj më vonë detet tona atje do të dyfishohen. Kjo është një e drejtë e plotë në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe vendi ynë mund të zgjerohet në zona të tjera dhe në Kretë dhe kudo tjetër, por në një kohë dhe mënyrë që do ta zgjedhim ne”, tha ai mes të tjerave.