VIDEO dhe FOTO/ Brenda vilës 1.3 miliard euro të Putinit

Kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny, që u arrestua sapo u kthye në Rusi, ka publikuar në kanalin e tij në YouTube pamjet e asaj që e quan pallati luksoz i presidentit rus, Vladimir Putin.

Pallati mendohet se ka kushtuar së paku 1.3 miliardë euro dhe Navalny pretendon se ka siguruar të dhëna se si duket vila luksoze e Putin në brigjet e Detit të Zi.

Pamjet 3D të këtij pallati luksoz janë publikuar nga Navalny, i cili thekson se e gjitha prona në këtë zonë është sa 39 herë sipërfaqja e Monakos.

Sipas tij, në pallatin luksoz ka një kishë, por edhe një klub striptizmi.

“Pallati ka portin e tij, një kishë, një sistem lejesh, një zonë ndalim fluturimi, edhe një postbllok në kufi. Është absolutisht një shtet i ndarë brenda Rusisë,” thotë Navalny.

Sipas tij, ndërtimi i pallatit luksoz është siguruar falë parave të korrupsionit.

Në pallat ka një kinema, një palestër, një pishinë të brendshme dhe një qilar për verë.

Pallati ka edhe një tunel që e lidh direkt me plazhin.

Navalny pretendon se për pallatin luksoz dhe tokën që e rrethon është paguar me ‘ryshfetin më të madh në histori’.

“Është godina më e ruajtur në Rusi. Nuk është një shtëpi fshati apo një rezidencë, është një qytet i tërë, madje një mbretëri”.

700 hektarët që rrethojnë pallatin janë në pronësi të Shërbimit Sekret Rus. Paratë për ndërtimin e kompleksit janë dhënë nga të paktën dy oligarkë pranë Putinit.

Videoja është bërë gati përpara se Navalny të arrestohej dhe është hedhur para disa orësh në rrjet.