Jo vetëm trafikant droge/ Polici akuzohet edhe për zhvatjen e 1500 eurove

Dy punonjës policie në Komisariatin numër 2 janë tashmë në hetim në dyshimin se kanë ndikuar në mënyrë të paligjshme te zyrtarë të një Universiteti privat për ti dhënë diplomën një vajze pa shkuar në auditor. Sipas dosjes së Prokurorisë vajza e cila ka dhënë 1500 euro dy punonjësve të policisë, ka kallëzuar se i kishin premtuar marrjen e provimeve pa shkuar, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Një hetim i Prokurorisë së Tiranës për punonjësin e Policisë Ledion Bako, i arrestuar në qershor të 2019-ës për drogë, nxori emrin e një tjetër punonjësi të Komisariatit numër 2, Emiljano Shoraj, të përfshirë në aktivitet të paligjshëm. Dy efektivët dyshohet se kanë ushtruar ndikim të paligjshëm te funksionarët publik, duke ndihmuar një shtetase të merrte diplomën në një Universitet privat në Tiranë, pa shkuar në mësim.

Sipas dosjes që disponon Syri Televizion, Prokuroria është vënë në lëvizje pas kallëzimit të bërë nga shtetasja A.K., që kishte paguar 1500 euro, vlerë monetare që janë marrë nga polici Ledion Bako dhe Emiljano Shoraj, me qëllim që t’ia jepnin administratorit të Universitetit privat. 

Sipas dëshmisë së kallëzueses shpeshherë takimet janë kryer edhe në një lokal pranë Komisariatit numër 2, ku kanë qenë në detyrë dy punonjësit. Ndërkohë nga ajo që deklarohet në dosje, ka dyshime se ndikimi mund të jetë edhe herë të tjera.

Pavarësisht dhënies së kësaj vlere monetare, shtetasja A.K., ka konstatuar se nuk ka marr asnjë provim dhe pas arrestimit të Ledion Bakos në qershor 2019-ës, për shpërndarje droge, ka bërë kallëzim duke u shprehur se është ndjerë e mashtruar nga këta persona.

Në dosje rezulton se përgjatë muajve të fundit të vitit 2019, janë kryer përgjime ambientale dhe vëzhgime që implikuan inspektorin e Policisë, Emiljano Shoraj, aktualisht në "Arrest shtëpie", në aktivitetin e paligjshëm.

Konkretisht, në datën 20 nëntor 2019, shtetasja A.K., ka pranuar të përgjohet gjatë një bisede 30 minuta me efektivin e policisë, Emiljano Shoraj, ku nga biseda është vërtetuar dëshmia e kallëzueses për vlerat monetare dhe premtimin për diplomën.

Pas një viti, dosja është ende në hetim nga Prokuroria e Tiranës që ka përfunduar pothuajse të gjithë veprimet hetimore. Ku përveç akuzave për shpërndarje drogë dhe shpërdorim detyre ka shënuar edhe ushtrimin e ndikimit të paligjshëm për agjentin e krimeve Ledio Bako dhe ka ngritur akuzë për ushtrim të ndikim të paligjshëm për inspektorin Emiljano Shoraj./ Syri Tv