Goditi me shuplakë kundërshtarin/ Merret vendimi për Messi-n, ja sa ndeshje do mungojë

Të dielën në mbrëmje, Barcelona humbi më shumë se një ndeshje. Të mundur nga Athletic Bilbao në finalen e Superkupës së Spanjës, katalanasve humbën edhe Lionel Messi-n, i cili u ndëshkua me karton të kuq në minutën e fundit të ndeshjes pasi goditi me shuplakë sulmuesin, Asier Villalibre.

Për këtë gjest të pahijshëm, Komisioni i Disiplinës, ka dënuar sulmuesin argjentinas me dy ndeshje pezullim.

Messi, në këtë mënyrë, do të humbasë ndeshjen e Kupës së Mbretit kundër Cornellá dhe atë të La Ligas ndaj Elches, dy takime që Barcelona do t’i zhvillojë jashtë fushës së saj.

Klubi “blaugrana”, gjithsesi, nuk është dakord me këtë vendim të Komisionit të Disiplinës, ndaj ka vendosur ta apelojë.

Në përshkrimin e tij, gjyqtari Gil Manzano shkruante për agresion, kështu që është zbatuar artikulli mbi “dhunën në lojë” (123.2):

“Në minuta 120 lojtari (10) Messi u përjashtua nga loja pasi goditi kundërshtarin me krahun e tij, duke përdorur forcë të tepërt …”

Ky ishte përjashtimi i parë nga loja i Messit te Barcelona në 754 ndeshje.