Zyrtare/ Rubin Hebaj firmos me Shkëndijën e Tetovës, ja detajet e kontratës

Tashmë është zyrtare. Rubin Hebaj ka firmosur me skuadrën e Shkëndijës së Tetovës në Maqedoninë e Veriut.

Sulmuesi 22-vjeçar, i cili ishte pjesë e Teutës në Superiore, u është bashkuar kuqezinjtë duke u vënë menjëherë nën urdhrat e trajnerit Ernest Gjoka.

Shkodrani ka nënshkruar me klubin tetovar kontratë me kohëzgjatje 2 vite e gjysmë, që do të thotë se do të jetë i lidhur me ngjyrat kuqezi deri në verë të vitit 2023.

I lindur më 30 korrik të vitit 1998 në Shkodër, sulmuesi kontratën e parë profesionale e firmosi në vitin 2015 me skuadrën e qytetit të tij, Vllazninë, për të kaluar dy vite më vonë (2017) në Slloveni te NK Domzale.

Në sezonin 2018/2019 sllovenët e huazuan te Partizani i Tiranës ku me 4 gola ndihmoi skuadrën të fitonte titullin e kampionit në Shqipëri, ndërsa menjëherë pas kësaj pasoi kalim nga Domzale te Vorskla në Premier Ligën e Ukrainës.

Në janar të vitit të kaluar Teuta e Durrësit e ktheu në Shqipëri, teksa me klubin durrsak fitoi Kupën dhe Superkupën. Shkodrani ka luajtur rregullisht me përfaqësueset e moshave të Shqipërisë U-17, U-19 dhe U-21.