Kapiteni i Vllaznisë, Gurishta: Ne Ballsh vetëm për fitore!

Pas një jave pezullimi për arsye kartonash, kapiteni Erdenis Gurishta rikthehet sërish të jetë i gatshëm për stafin teknik, pikërisht në ndeshjen ndaj Bylisit.

Duke folur para gazetarëve, numri 2 i kuqebluve është shprehur entuziast për një tjetër fitore edhe në këtë ndeshje.

“E kam lënë pezullimin pas dhe jam i lumtur që jam rikthyer, siç isha i lumtur për ndeshjen që zhvilluam ndaj Kukësit. Kruja e bëri shumë mirë rolin e mbrojtësit të djathtë. Tani mendojmë për ndeshjen e radhës.

Bylis? Nuk duhet parë klasifikimi, nuk është skuadra e sezonit të kaluar por Bylis është shumë agresiv në fushën e vet. Do jetë e vështirë, ata kanë në favor fushën që nuk ka nivel si e jona apo edhe ajo e Elbasanit. Të marrim masat dhe të shkojmë atje vetëm për tri pikë.

Goli i parë këtë sezon? Shpresoj që të vijë edhe goli im i parë këtë sezon. Pak rëndësi ka kush shënon te Vllaznia, rëndësi ka të fitojë ekipi”, tha Gurishta.