'Më 25 prill nisim rrugën e ndryshimit, partnerët tanë do të na mbështesin me plan ekonomik'

"Lajmi mirë është që ditët e kësaj qeverie janë të numëruara", deklaroi sot për mediat, kryetari i opozitës Lulzim Basha, pas një bashkëbisedimi online që zhvilloi me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian sot, si me Komisionerin për Zgjerimin OliverVarhelyi dhe Kryetarin e komisionit të Punëve të Jashtme të PE, David McAllister.

" Është koha për ndryshim, -theksoi Basha. -  Është koha për ta larguar këtë qeveri dhe këtë kryeministër të papërgjegjshëm i cili është shkaktari dhe burimi i kësaj krize ekonomike.

Ne kemi një plan konkret ekonomik. Sëbashku me shqiptarët në 25 prill do të largojmë të keqen dhe do të nisim rrugën e ndryshimit. Dhe në këtë rrugë ndryshimi partnerët tanë gjeostrategjikë duke përfshirë Bashkimin Europian do të na mbështesin me një plan ekonomik që do të bëjë të mundur që Shqipëria shumë shpejt t'i kthehet normalitetit, që Shqipëria shumë shpejt të ketë një klimë pozitive ekonomike për investimet e brendshme, për biznesin e vogël dhe të mesëm që është edhe më i godituri i kësaj krize, për të gjitha familjet shqiptare që po vuajnë dështimet e Edi Ramës por po kështu për të krijuar një klimë pozitive për investimet e huaja.

Mesazhi që kam sot për shqiptarët është: çdokush e di se Edi Rama ka dështuar por e nesërmja do të sjellë ndryshim, një ndryshim të vërtetë për të gjithë Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët."