Uashingtoni i ballos së madhe të inagurimit të Presidentit, sot një qytet fantazmë me ushtarë

Uashington – Qendra e Uashingtonit është kthyer në një kështjellë të armatosur, rrethuar me tela me gjemba dhe 25,000 trupa të Gardës Kombëtare përpara inaugurimit të Presidentit të zgjedhur Joe Biden që bëhet të mërkurën, në kontrast të plotë me inaugurimet e mëparshme, kur kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara shpërthente në këto ditë festimi.

Pandemia e COVID-19 i kishte anuluar ballot e inagurimit. Tani National Mall është mbyllur për publikun për shkak të kërcënimeve të dhunës nga grupet që sulmuan Kapitolin e SHBA në 6 janar. “Është si një qytet fantazmë, por me ushtarë", tha Dana O'Connor, e cila kalonte me burrin e saj nëpër barrierat e betonit pranë Shtëpisë së Bardhë të dielën.

Inaugurimet e mëparshme ndonjëherë tërhiqnin mbi një milion spektatorë në National Mall, për të parë ceremoninë nga ekranet gjigante të televizionit dhe presidentin e ri që parakalonte në këmbë nga Kapitoli për në Shtëpinë e Bardhë. Ballot dhe festat në sallat e ballove të hotelit dhe sallat e mbledhjeve në të gjithë qytetin i prisnin mysafirët me shampanjë dhe  me muzikë nga yjet më të mëdhenj në krye të listave.

Inaugurimet e Presidentit normalisht janë ngjarje të sigurisë së lartë, me detektorë metali në pikat kyçe të hyrjes, me zona të kufizuara dhe Gardë Kombëtare por niveli i masave paraprake këtë vit është i pashembullt. Kryebashkiaku i Uashingtonit Muriel Boëser tha të dielën se zyrtarët e zbatimit të ligjit nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të rrisnin sigurinë pas sulmit vdekjeprurës në Kapitol, ku "të ashtuquajturit patriotë do të përpiqeshin të përmbysnin qeverinë e tyre dhe të vrisnin oficerë policie".