Ishin në gjumë pranë rrugës, 15 persona humbin jetën pasi u shtypën nga kamioni

Të paktën 15 punëtorë migrantë, të cilët ishin duke fjetur në trotuarin pranë një autostrade, vdiqën pasi një kamion i përplasi ata në shtetin perëndimor indian të Gujarat, njofton BBC.

Gjashtë të tjerë u plagosën rëndë në aksident të martën herët në mëngjes, thanë zyrtarët për mediat lokale.

Aksidenti ndodhi pasi kamioni u përplas me një traktor dhe shoferi i tij humbi kontrollin.

Kryeministri Narendra Modi tha se humbja e jetëve ishte tragjike.

Zyrtarët thanë se po hetonin incidentin dhe të plagosurit po trajtoheshin në një spital lokal pranë qytetit të Surat.

Nuk është e pazakontë të shohësh punëtorë migrantë duke fjetur në trotuare në qytetet indiane dhe ata shpesh janë në rrezik aksidentesh të shkaktuara nga automjetet.

Por nuk janë vetëm makinat. Gjashtëmbëdhjetë persona vdiqën vitin e kaluar kur u përplasën nga një tren mallrash në shtetin e Maharashtra pasi ranë në gjumë në shina. Ata ishin përpjekur të ecnin në një stacion, nga ku shpresonin të merrnin një tren në shtëpi gjatë bllokimit të rreptë të Indisë.