Clinton hedh dyshime: Trump po fliste me Putin kur ndodhën trazirat

Hillary Clinton ka lënë të dyshohet se presidenti Donald Trump po fliste me Vladimir Putin në telefon ditën kur ndodhën trazirat në Kapitol.

Në një bisedë me kryetaren e Kongresit, Nancy Pelosi, Clinton tha se do donte të shihte bisedat që ka bërë Trump atë ditë.

“Do doja të shihja nëse ishte në telefon me Putin kur po pushtohej Kapitoli,” tha ajo.

Clinton, e cila humbi zgjedhjet e vitit 2016 ndaj Trump, tha se është e qartë se ish-rivali i saj ka neveri ndaj demokracisë.

Sipas saj, presidenti kishte të tjera axhenda kur ishte në krye të Shtëpisë së Bardhë dhe se shpreson se një ditë do të bëhet qartë se kush e komandonte presidentin Trump.

Ajo më tej e pyeti kryetaren e Kongresit nëse mund të ngrihet një komision hetimor si ai i 11 Shtatorit për ngjarjet e 6 Janarit.

“Nuk e di se çfarë lidhjesh ka Putin me Trump, politikisht, financiarisht apo personalisht, por ajo që ndodhi javën e shkuar ishte një dhuratë për Putin, për shkak se Putin kërkon të minojë demokracinë në vendin tonë dhe në mbarë botën,” tha Pelosi.

“Kështu që po, duhet të ngremë një komision si ai i 11 Shtatorit dhe për këtë ka mbështetje në Kongres”.