‘PS një parti e vetmuar’/ Duma: Frymë pozitive mes forcave opozitare! Po krijohet një sinergji

Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Grida Duma, duke komentuar përgatitjet politike për zgjedhjet e 25 prillit, tha se Partia Socialiste është thjesht një parti e vetmuar.

Ndërkohë sipas Dumës, forcat opozitare po bashkëveprojnë me njëra-tjetrën duke krijuar një sinergji.

“S’ka asnjë ngecje, ajo që shikojmë është që me gjithë shqetësimin, mënyra se si po bashkëveprojmë forcat opozitare është krijuar një sinergji, unë e shikoj si një të mirë. Që të shikojmë se si është ardhmëria duhet të shikojmë vendin nga sipër. Në krahun e mazhorancës është një forcë politike e vetme, PS është thjesht një parti e vetmuar”, tha Duma në “Open”.

PD ka arritur marrëveshje politike me 3 aleatë të tij, ndërsa vazhdojnë negociatat me tre aleatë të tjerë. Duke folur për këtë çështje, Duma tha se nuk ka asnjë ngecje, por negociatat vazhdojnë.

“Jemi në një frymë shumë pozitive. Negociatat po vazhdojnë dhe nuk ka asnjë ngecje. Kanë mbëtur për tu bërë llogaritjet e fundit. Kam vënë re brenda selisë se fryma është pozitive dhe se marrëvshja është gati për 2-3 ditë”- tha Duma.