Ndërron jetë Benjamin de Rothschild, kreu i një prej familjeve misterioze dhe më të përfolura në botë

Ishte kreu i një prej grupeve financiare më të fuqishme në botë, pinjoll i një prej familjeve më të njohura, përfolura, misterioze dhe diskutuara në botë. Baroni Benjamin de Rothschild, 57 vjeç, ndërroi jetë papritur në Pregny të Zvicrës, në moshën 57-vjeçare.

Benjamin de Rothschild ishte në krye të kompanisë së themeluar nga i ati Edmond dhe që ka një xhiro biznesi rreth 160 miliardë euro, me seli në 33 vende të ndryshme të botës dhe me 2700 punonjës, me një pasuri personale gati 1.5 miliardë euro. 

Benjamin de Rothschild, kryetari i kompanisë së aksioneve për bankën private franko-zvicerane dhe menaxheri i aseteve Edmond de Rothschild, ka vdekur nga një sulm në zemër në moshën 57 vjeç, njoftoi grupi të Shtunën. De Rothschild tashmë ishte larguar nga drejtimi i përditshëm i biznesit financiar që ai trashëgoi nga babai i tij Edmond, duke e lënë atë në duart e gruas së tij energjike Ariane , ndërsa ai ndiqte pasionin e tij për gara me jahte me shpejtësi të lartë dhe makina.

Grupi e përshkroi Benjamin de Rothschild si një "sipërmarrës vizionar, i apasionuar pas financave, shpejtësisë, lundrimit dhe automobilave, entuziast i verës [dhe] filantropist aktiv".

Ai ishte pinjoll i familjes Rothschild, e ndarë prej kohësh në dy degë të mëdha. Ai i përkiste trungut zviceran të familjes që prej 300 vitesh ka karakterizuar ekonominë fillimisht të Francës dhe më pas të Europës.

Prej vitesh, ai dhe bashkëshortja kishin filluar një ”betejë” edhe ligjore ndaj trungut britanik, duke arritur një marrëveshje ku secili trung do të duhet të përdorte elemente të ndryshme që t’i karakterizonin, nën titullin Rothschild & Co., për pjesën britanike dhe Edmond de Rothschild për atë zvicerane.