Nga arsyet e shpërbërjes së grupit, deri tek projektet e reja të tij/ Vokalisti i ish-grupit 'Troja' i thotë të gjitha

Mëngjesin e sotëm, i ftuar në një lidhje me Skype në ‘Kafe Shqeto’ me moderatorin Flavio Qarri, ishte vokalisti i grupit të njohur ‘Troja’, Bujar Berisha.

Tashmë grupi ‘Troja’ nuk është më bashkë, por Bujar Berisha nuk e ka ndaluar punën, pasi ai tregoi se ka vazhduar projektet e tij individuale.

Ka disa vite që, me sa duket, anëtarët e grupit erdhën në një pikë ku menduan se po binin në përsëritje, dhe për shkak të angazhimeve të ndryshme, sepse dihet shumë mirë ajo që grupi ‘Troja’ , nuk ka jetuar nga muzika, por muzikën e kishte pasion. Pas një kohe, siç duket, anëtarët e grupit e morën këtë vendim, tashmë jemi dhe prind dhe u ftohën marrëdhëniet. Të punosh në grup është shumë më e vështirë se sa të punosh solo, pra  individualisht. Grupi është si një familje, kur anëtarët fillojnë të kenë një ftohje fillon dëmtohet gjithë marrëdhënia e grupit. Dhe këtë mund ta quajmë si fund, jeta është e gjatë por për momentin këto janë rrethanat”, tha Bujari teksa foli për shkrirjen e grupit Troja, dhe arsyen që i çuan ato drejt këtij vendimi.

Vlen të thuhet se muzika e grupit ‘Troja’ njihej gjithashtu si një kolonë zanore e ndërgjegjes së politikës shqiptare, çfarë bëri që pas 'shkrirjes' së grupit, në media të qarkullonte lajmi se grupi u nda për arsye politike, fakt ky, që u mohua nga vokalisti, Bujar Berisha.

Bujari, pranoi, se një nga arritjet e grupit Troja, përveç këngëve mjaft artistike që ka sjellë ky grup muzikor prej vitesh në treg, është fakti që grupi ‘Troja’ ka kontribuar në zhvillimin e demokracisë pas luftës në Kosovë, duke ndihmuar zërin e qytetarit të ndihet më shumë.

Ndërsa në lidhje me një nga tekstet më të famshme, legjendare, dhe ‘apokaliptike’ që kënduan ky grup, kënga ‘Mbretëresha kohë’, e cila është përdorur shumë në protesta opozitare si në trojet shqiptare, artisti u shpreh:

“Eshtë një këngë që është përdorur pa të drejtë të autorit, i përdorin kur janë në opozitë, ndërsa kur janë në pushtet, i kthehen asaj muzikës koti”.

Ndërkohë, Bujari foli gjithashtu për projektin e tij të fundit, që titullohet ‘Xhamadani vija-vija’ nga grupi suedez ‘MadMan’s Choice’ , një projekt pas së cilit qëndron Bujar Berisha.

“Ky është një projekt i lindur në mënyrë spontane, përmes një miku qe kam në Suedi, ramë në kontakt dhe shprehëm dëshirën të bashkëpunojmë. Madje kam menduar që këtij projekti t’i hapim rrugën për pjesëmarrje në disa festivale në vend. Më ka pëlqyer mënyra si ështe pritur nga publiku kjo këngë.”

I pyetur nga Flavio se kur do të vijë projekti i radhës muzikor, Bujari tregoi:

"Me ish basistin e grupit Troja, kemi filluar një projekt të ri një, band të ri dhe jemi duke punuar këngë të reja. Pandemia na mori shumë energji por do ta rikuperojmë."

Në lidhje me grupin e ri, që artisti po krijon, ai tha se nuk ka menduar akoma një emër, por zbuloi se disa nga këngët që nuk i ka kënduar dot me grupin ‘Troja’ do të jenë pjesë e grupit të ri./R. Dogjani

'Xhamadani vija-vija' nga grupi suedez: