Karvani: Guatemala bllokon mijëra emigrantë që po drejtoheshin për në SHBA

Një grup emigrantësh të Amerikës Qendrore janë goditur me shkopinj dhe gaz lotsjellës në Guatemalë, ku forcat e sigurisë iu bllokuan rrugën për në SHBA.

Mijëra njerëz u rrethuan në një rrugë afër kufirit me Hondurasit të dielën. Qeveria tha se nuk do të pranonte "lëvizje të paligjshme masive".

Rreth 7,000 migrantë, kryesisht nga Hondurasi, kanë hyrë në ditët e fundit në këtë vend për të ikur nga varfëria dhe dhuna. Ata shpresojnë të udhëtojnë për në Meksikë dhe pastaj t’i drejtohen kufirit me SHBA.

Çdo vit, dhjetëra mijëra migrantë të Amerikës Qendrore përpiqen në këtë udhëtim të rrezikshëm për të arritur në SHBA, shpesh në këmbë, në grupe të njohura si "karvanë".

Presidenti i zgjedhur Joe Biden, një Demokrat, ka premtuar t'i japë fund politikave të rrepta të emigracionit të paraardhësit të tij republikan, Donald Trump. Por administrata e Biden, e cila do të marrë detyrën të mërkurën, i ka paralajmëruar emigrantët të mos e bëjnë rrugën pasi politikat e emigracionit nuk do të ndryshonin brenda natës.

Çfarë ndodhi kur grupi hyri në Guatemalë?

Ndërsa emigrantët ecnin nëpër Guatemalë drejt kufirit të saj me Meksikën, ata u ngadalësuan nga forcat e sigurisë pranë fshatit juglindor Vado Hondo.

Një grup ushtarësh dhe oficerësh policie bllokuan një rrugë, duke ndaluar shumë prej tyre të përparonin. Disa njerëz  u përpoqën të kalonin me forcë, duke bërë që forcat e sigurisë t'i shtynin prapa. Disa të tjerë u plagosën.

Shumë emigrantë u tërhoqën, me disa që prisnin afër për të bërë një përpjekje të re më vonë. Të tjerët ikën në malet aty pranë.