Britania e Madhe ashpërson masat, ja rregullat e reja për udhëtarët

 

Udhëtarët që mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar, qoftë me anije, tren apo aeroplan, duhet të tregojnë provën e një testi negativ Covid-19 për t’u lejuar që të hyjnë në shtetin britanik.

Testi duhet të bëhet brenda 72 orësh para udhëtimit dhe kushdo që mbërrin pa një të tillë, do të gjobitet  deri në 500 paund. Të gjithë udhëtarëve do t’u kërkohet  të karantinohen për 10 ditë. Periudha e izolimit mund të shkurtohet nëse tregohet një test negativ pas pesë ditësh.

Qeveria ka deklaruar se ky vendim do të jetë në fuqi deri në 15 shkurt.

Sipas rregullave të reja, udhëtarët që vijnë nga Ishujt Falklands, St Helena dhe Ascension janë të përjashtuar.

Ata që mbërrijnë nga disa ishuj të Karaibeve përjashtohen deri në orën 4.00 GMT të së enjtes, më 21 janar.

Sekretari i Punëve të Jashtme, Dominic Raab tha për BBC të dielën se Shëndetësia Publike në Angli do të shtojë kontrollet mbi udhëtarët të cilët duhet të vetizolohen.

Ai tha se kontrollet e zbatimit në kufij gjithashtu “do të shtohen” dhe shtoi se kërkesa për të gjithë të mbërriturit, për t’u vetizoluar në hotele, ishte një masë që qeveria kishte kohë që e shqyrtonte.

Më parë, qeveria njoftoi se një skemë e mbështetjes financiare për aeroportet në Angli do të hapej këtë muaj si reagim ndaj kufizimeve të reja të udhëtimit.