Sulmet e Ramës ndaj BE e Francës shprehin orientimin anti-Perëndim e Europë

Nga Tritan Shehu.

Ndjeva një keqardhje të madhe për vendin tim duke lexuar reagimin e drejtë të ambasadës së Francës mike ndaj anatemimeve të Ramës, që jo vetëm synojnë të hedhin një mjegullnajë mbi dështimet e tij ndaj epidemisë Covid.

Ato mbartin në vetvete shumë më tepër, mbartin një pozicionim të qartë politik të Ramës, që synon largimin e Shqipërisë nga rruga europiane e perëndimore, pikerisht sepse autokracia, shkeljet e demokracisë, anti drejtësia, denigrimi e shpërfillja e qytetarëve janë të papranueshme për atë familje të madhe, së cilës ne i përkasim e ku aspirojmë të jemi pjesë integrale.

Kjo duket qartësisht në të gjitha hapat politike, veprimet, pozicionimet, që Rama ka ndërmarrë në të gjitha këto vite me një çmim të rëndë e të dhimbshëm këto për Shqipërinë, shqiptarët e të gjithë rajonin tonë.

Unë e mirëkuptoj ambasadën e Francës kur e pyet Ramën se si mund të akuzohet kështu nga ai, një vend mik!

Por çështja, unë mendoj tashmë, duhet të shtrohet ndryshe: a e konsideron ai Francën, BE-në, vende mike?

Siç duket ai ka një tjetër koncept e drejtim për “vendet mike”, diametralisht e ndryshme kjo me ndjenjat e interesat jetike të shqiptarëve në tërësi. Fatmirësisht tashmë, 25 prilli nuk është larg!