Koreja tregon ‘armën më të fuqishme në botë’/ BBC: E kanë me Biden

Koreja e Veriut zbuloi në një paradë ushtarake një raketë balistike, e cila është përshkruar nga mediat shtetërore si 'arma më e fuqishme në botë'.

Raketa balistike hidhet nga nëndetëset dhe ekspertët thonë se është një armë që nuk është parë më përpara.

Arma u prezantua pak përpara inaugurimit të presidentit amerikan Joe Biden. Sipas BBC, qëllimi i vendit komunist është që të tregojë ‘muskujt’ për Amerikën dhe Biden.

Parada e armëve erdhi pasi diktatori Kim Jong-un zhvilloi një takim më drejtuesit e partisë ku deklaroi se SHBA është armiku më i madh i tyre.

“Parada ushtarake ishte një shfaqje force, duke treguar edhe njëherë muskujt ushtarakë, për t’i thënë popullit të Koresë së Veriut se pavarësisht nga perspektiva e zymtë ekonomike, ky vend i varfër është i aftë të projektojë dhe të prodhojë armë të reja strategjike. Ajo gjithashtu është një sfidë e drejtpërdrejtë për administratën që po vjen në SHBA”, raporton BBC.

“Koreja e Veriut duket e gatshme që të vazhdojë me izolimin e vetëimponuar, dhe duke qenë subjekt i sanksioneve të rrepta ekonomike, shteti është zotuar të ndërtojë armë bërthamore në kundërshtim me komunitetin ndërkombëtar. Gjatë transferimit të pushtetit, presidenti Obama i tha Donald Trump se Koreja e Veriut duhet të jetë shqetësimi i tij kryesor për sigurinë kombëtare. Në ktër vitet e fundit, Trump dhe Kim nuk kanë bërë asgjë për të lehtësuar këto shqetësime”.

“Kim Jong-un po i tregon presidentit të ri të SHBA këtë javë se ai do të përballet me perspektivën e frikshme për të gjetur zgjidhje të reja për një problem të vjetër prej dekadash”.