Dështoi në Spanjë, Real Madridi kthen Luka Joviç te Frankfurti

U transferua me shumë bujë te Reali i Madridit, por serbi Luka Joviç rezultoi një dështim te skuadra spanjolle.

Drejtuesit madrilenë kanë vendosur ta rikthejnë 23-vjeçarin te skuadra e Eintraht Frankfurt, aty ku edhe spikati si futbollist.

Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi gjerman, nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare. Bëhet fjalë për një huazim.

Serbi, i shitur para 18 muajsh për shumën e 60 milion eurove te Real Madridi, në Spanjë nuk e gjeti veten dhe trajneri Zinedine Zidane pa asnjë mëdyshje ka aprovuar kërkesën e sulmuesit për t’u larguar në formë huazimi.

Reali do të paguajë pjesën më të madhe të pagës edhe gjatë këtyre gjashtë muajve, me shpresën se Joviç do shpërthejë sërish dhe të paktën do të rivlerësohet në treg për ta shitur dhe për të zbutur sadopak disfatën financiare të dështimit të serbit.