Drogë nga Shqipëria e Amerika e Jugut drejt Italisë, policia shkatërron grupin italo-shqiptar

Operacioni i koduar “SAUDADE-bis” i ekzekutuar nga Guardia di Finanza e Milanos ka çuar në shkatërrimin e një grupi trafikantësh droge mes Shqipërisë, Amerikës Jugore e Italisë.

Hetimet e operacionit kanë vënë nën hetim 40 persona. Mëngjesin e sotëm janë ekzekutuar 19 masa ndalimi, ndaj shtetasve italianë e shqiptarë, 2 persona janë vënë nën arrest me burg, 9 në arrest shtëpiak e 8 persona janë vënë nën detyrim paraqitje.

Grupi kriminal trafikonte kryesisht marijuanë, hashash e kokainë përmes rrugës së Adriatikut dhe përmes rrugëve ajrore.

Hetimet e operacionit kanë nisur më vitin 2016 nga Guardia di Finanza e Milanos duke çuar në sekuestrimin e  rreth 2 tonë drogë me vlerë 5 milionë euro.

Më vitin 2017, në kuadrin e këtij operacioni u kap  në brigjet e Puglias një gomone e gjatë 10 metra me rreth 1.5 tonë drogë që trafikohej nga Shqipëria dhe u vunë në pranga 2 skafistë shqiptarë.

Operacioni i sotëm “SAUDADE-bis”, ka çuar në kontrollin e disa banesave e lokaleve.

Hetimet kanë zbardhur të gjitha degët e veprimit të grupit kriminal në Itali e neutralizimin e plotë të tyre.

Operacioni u krye në bashkëpunim me autoritetet policore në Lombardia, Liguria, Veneto e Emilia-Romagna.

Personat e vënë nën masa ndalimi akuzohen për trafik ndërkombëtar droge e pjesëmarrje në aktivitet kriminal./OraNews