Pas Papa Françeskut, vaksinohet edhe Papa i nderit Benedikti XVI

Vazhdon fushata e vaksinimit në Vatikan, e cila filloi dje paradite më 13 janar pas mbërritjes së serumit. Si Papa Françesku ashtu edhe Papa i nderit Benedikti XVI kanë marrë dozën e parë të vaksinës, njoftoi Vatikani. 

"Mund të konfirmoj se në kuadrin e programit të vaksinimit në Shtet Qytetin e Vatikanit - tha drejtori i Zyrës së Shtypit të Selisë së Shenjtë Matteo Bruni, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve - deri më sot është administruar doza e parë e vaksinës për COVID- 19 për Papën Françesku dhe Papën e Nderit".

Papa Françesku pati njoftuar gjatë intervistës me televizionin italian Tg5, të dielën e kaluar, se do të vaksinohej këtë javë, ndërsa sekretari privat i Benediktit XVI, ipeshkvi Georg Gaenswein, konfirmoi se edhe Papa i Nderit  do të vaksinohej.

Në atë intervistë Papa Françesku e përcaktoi vaksinimin si "një veprim etik, sepse është në pikëpyetje shëndeti yt personal, por edhe jeta e e të tjerëve".