Basha: Koha për një qeveri që kujdeset për njerëzit!

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, deklaroi sot se ka ardhur koha për një qeveri që kujdeset për “xhepat e shqiptarëve” dhe jo të Kryeministrit dhe ministrave të tij.

“Ndërsa Rama dhe ministrat e tij shumëfishojnë pasuritë e tyre, Shqipëria varfërohet, - shkroi Basha në Fb. - Papunësia është shtuar, kosto e jetesës është bërë e papërballueshme.

Ka ardhur koha për një qeveri që kujdeset për njerëzit. Ka ardhur koha për një qeveri që kujdeset për xhepat e shqiptarëve dhe jo të Ramës dhe ministrave të tij.”

Mesazhin e tij kryetari i opozitës e ka përforcuar me një krahasim mbi rënien ekonomike të qytetarëve dhe pasurimin e ministrave në shtatë vjetët e fundit.

Në një kohë kur 40% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 4,19 dollarë për frymë dhe ka shënuar vetëm rënie, pasuria e ministrave të kabinetit Rama ka njohur vetëm rritje.