‘Tek Nusreti bifteku ishte më i trashë se asfalti në Borsh’-Iriqi bisedon me Arbër Maznikun

Iriqi: - Si ia kaluat te NUSRET?

Mazniku: - Më kaploi një inat i madh kur pashë biftekun.

Iriqi: - Pse?

Mazniku: - Se qe më i trashë se asfalti i Unazës së Re. Ndaj e fotografova. T’ua tregoj firmave të rrugëve në Shqipëri. Na, hapni sytë, as sa një biftek nuk investoni. I thashë Tigrit që me ato foto të bëjmë një seminar, po ai ma kundërshtoi.

Iriqi: - Nuk qe dakord?

Mazniku: - Jo dhe kishte të drejtë. Gjysmën e trashësisë të asfaltit e ke ngrënë ti, e kam ngrënë unë, tha. Pra ndërtuesit janë në rregull.

Iriqi: - Po pse e ha ti asfaltin? Çfarë shije ka?

Mazniku: - Mjaltë e shkuar mjaltit. Nga ai asfalt ne blemë vila, shkollojmë jashtë fëmijët, hypim e zdrypim avionë. Se jeta është e vështirë, Iriq.

Iriqi: - Darkën në Dubai ua pagoi princi i kurorës?

Mazniku: - Na i pagoi Tigri. E hoqi një shkollë nga plani i rindërtimit. Njerëzit po ikin nga Shqipëria, shpjegoi. Ç’duhet shkolla kur s’ka nxënës? M’u duk arsyetim i drejtë.

Iriqi: - Ti në tv the se në atë darkë po joshnit investitorë. Kështu?

Mazniku: - Kështu më mësoi Fuga të them, po ai ia futi vetes.

Iriqi: - Pse?

Mazniku: - Se kishte gruan në darkën për joshje. Hahaha.

Iriqi: - Mendoni se do harrohet Nusreti?

Mazniku: - Nuk besoj. Se shqiptari të fal po e rrahe, po e vodhe, ama po hëngre mish kur ai është i uritur nuk e harron.

Iriqi: - Si do e zgjidhni?

Mazniku: - Do bëjmë një video sikur te Nusreti ha darkë dhe Basha me princin e Dubait.

Iriqi: - Dhe?

Mazniku: - Dhe populli do kuptojë që vjedhim njësoj. Si PD si PS. Ama hedhjen e kripës Nusreti e ka kopjuar nga ne. Nga filmi ‘Lulëkuqet mbi mure’. Tamam si ai drejtori kur u hidhte thërrime buke jetimëve. Do i kërkojmë të drejtën e autorit.

Iriqi: - Po videon kush e çoi në portalet shqiptare?

Mazniku: - Lali Eri, dihet. Ai tani e ka strategji ta dëmtojë Ramën deri 25 prill. O e bëj Ramën bojaxhi në datën 26 o vdes, është betuar. E ia del, se nuk ka turp e skrupuj.