‘Darka e fundit’ e Nanos dhe ‘darka e fundit’ e MJAFT-it në pushtet!

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku u përpoq mbrëmë në Çim Peka LIVE që të theksonte se nëse ai do ishte aktivist i shoqërisë civile, siç ishte dikur me lëvizjen MJAFT, do të ishte zemëruar për pamjet e darkës luksoze në Dubai.

Megjithatë ai këmbënguli se nuk ka asgjë të paligjshme dhe jomorale tek darka luksoze në Dubai.

Por historia tregon të kundërtën.

Le të kthehemi 17 vite prapa në kohë, në tetor të vitit 2004.

Organizata MJAFT me kryetar de fakto Edi Ramën dhe ushtar në terren Erion Veliajn e dy shijuesit e mishit special të mbështjell në fleta ari të Nusretit në Dubai, Fuga e Mazniku, kishin mbushur rrugën e Durrësit me parulla për të përshëndetur kthimin nga Greqia të Fatos Nanos në atë kohë kryeministër.

‘Mirë se erdhe Nano djali, se për ty na kish marre malli’, shkruhej në këto parulla, të cilat ironizonin një kryeministër i cili nuk mbante përgjegjësi për çfarë ndodhte në vend.

Në atë kohë MJAFT me Fugën e Maznikun në terren, protestonin kundër Fatos Nanos, i cili e rrezikoi postin seriozisht dhe më pas e humbi edhe atë të kryetarit të PS-së, sepse ndërkohë që Shqipëria ishte në zi për vdekjen e 15 maturantëve nga Kosova në një aksident tragjik më 14 tetor 2004 në Fushë Arrëz, u kap duke harbuar në një buzuk në Greqi.

E njëjta gjë i ndodhi edhe ndërkohë që zhvillohej tragjedia kriminale e 9 janarit 2004, kur 28 shqiptarë që tentonin të iknin me skaf në Itali u lanë të mbyten pranë brigjeve të Vlorës.

Nano më vonë u justifikua se ishte për një operacion shëndetësor në Turqi, por Fuga e Mazreku që sot kur Shqipëria përmbytet hanë e pinë në Dubai, nën frymëzimin e Ramës në atë kohë, i kërkonin dorëheqje urgjente.

Por të paktën Fatos Nano shkonte thjesht për qejf, kurse këta i bëjnë të dyja, qejfin dhe aferën e madhe miliardëshe të Portit të Durrësit, duke nxjerrë njësoj si për Teatrin Kombëtar një ligj special në datën 3 dhjetor.

Ajo e Nanos është etiketuar nga analistët si ‘Darka e fundit’, e cila solli edhe rrënimin përfundimtar si kryeministër.

Kurse ‘Darka e Dubait’ do sjellë rrënimin e Ramës si kryeministër, por edhe paralajmëron fundin e ‘MJAFTIZMIT’ në politikë.