Azerbajxhani dhe Armenia nënshkruajnë paktin e zhvillimit të Karabakut

Në një takim që u zhvillua dy muaj pas shpalljes së armëpushimit në rajonin e Malësisë së Karabakut në Kaukaz, liderët e Rusisë, Azerbajxhanit dhe Armenisë nënshkruan një pakt për zhvillimin e lidhjeve ekonomike dhe të infrastrukturës në dobi të të gjithë rajonit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ai azerbajxhanas, Ilham Aliyev dhe kryeministri armen, Nikol Pashinyan, pas samitit që u zhvillua në Moskë mbajtën një konferencë të përbashkët për media.

Presidenti Putin përshëndeti bisedimet duke i cilësuar si "jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të dobishme".

Pas katër orë bisedimesh trepalëshe, Putin u tha gazetarëve se arritën një marrëveshje për zhvillimin e situatës në rajon.

Konflikti i Malësisë së Karabakut

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike, Azerbajxhanit dhe Armenisë, kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, i njohur ndërkombëtarisht si territor i Azerbajxhanit.

Kur përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator të vitit 2020, ushtria armene filloi sulmet ndaj civilëve dhe forcave azerbajxhanase, madje edhe shkeli marrëveshjet humanitare të armëpushimit.

Konflikti solli mijëra viktima nga të dy palët por edhe civilë të pafajshëm që ishin në zonën e luftimeve mes dy shteteve.

Të dy vendet më 10 nëntor nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia për t'i dhënë fund luftimeve dhe për të punuar drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse.

Një qendër e përbashkët turko-ruse po krijohet në rajon për të monitoruar armëpushimin. Trupat paqeruajtëse ruse po ashtu janë vendosur në rajon.

Armëpushimi konsiderohet si fitore për Azerbajxhanin dhe humbje për Armeninë, forcat e armatosura të së cilës janë tërhequr në përputhje me marrëveshjen.

Megjithatë janë raportuar shkelje në javët e fundit, me disa ushtarë armenë që thuhet se ishin fshehur në enklavën malore.