FOTO/ 'Mos u shqetësoni, zjarri është këtu', Kale lë pas dëmtimin

Një nga lojtarët që i ka munguar më shumë skuadrës së Tiranës në këtë fazë të sezonit, ka qenë padyshim futbollisti brazilian, Elton Kale. Mesfushori 32 vjeçar, një nga më të mirët në sezonin e kaluar, pati probleme me shpatullën dhe në tetor të vitit të kaluar iu nënshtrua operacionit. Pak ditë pas ndërhyrjes kirurgjikale, Kale u nis drejt vendlindjes së tij për t’u riaftësuar.

Koha e rikuperimit duket se ka shkuar mirë dhe tashmë Kale është rikthyer në Tiranë, për të nisur pak nga pak stërvitjet në fushë dhe për t’u vënë në dispozicion të trajnerit Nevil Dede, që mund ta ketë një “armë” më shumë për pjesën e dytë të kampionatit.

Sakaq, lajmin për rikthimin e ka dhënë vetë Kale në rrjetet sociale teksa ishte së bashku me mikun e tij, Agustin Torasën. “Shumë ftohët në Tiranë?! Mos u shqetësoni, zjarri është këtu”, ishte lajmërimi special i Kale për rikthimi e tij.