Pse videoskandali në Dubai është shumë më i rëndë nga sa shihet

Kur Syri.net publikoi në këtë fillimviti një lajm se si një ministër kanadez kishte dhënë dorëheqjen pasi kishte lënë kasetën gati me lajme dhe vetë kishte fluturuar për pushime, çdo komentues online e krahasonte me zyrtarët e lartë të rilindjes.

Nuk vonoi shumë dhe ndodhi ajo që pritej. Ndërsa Shqipëria ishte zhytur nën ujë, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku u shfaq duke raportuar për hallet e shqiptarëve nga një vend i largët. Ajo po u fliste shqiptarëve nga Dubai për situatën në Shqipëri.

Ne nuk jemi Kanadaja dhe nuk mund të presësh kurrsesi ndërgjegje politike nga qeverisja e Edi Ramës, ndaj mos shpresoni kurrë se Balluku do të jepte dorëheqjen për këtë gjë.

Qeverisja e Ramës nuk ka ndërgjegje politike, por më e rënda është se Shqipëria nuk ka asfare drejtësi. Kjo për një arsye tjetër akoma më të rëndë.

Një ditë më parë u publikuan pamje se si kupola e qeverisjes po darkonte në një prej restoranteve më të shtrenjtë në botë në Dubai, pikërisht te i famshmi Nusret.

Të kapur në panik, në dijeni të plotë se ky ishte një skandal i rëndë, qeveria dhe shpura e tyre mediatike përgatiti një njoftim ku thuhej se ata po darkonin me shpenzime të paguara nga investitorë të pritshëm në Shqipëri. Të shfrenohesh në luks me paratë e investitorëve, ky është një krim dhe këtë e di më së miri ai që ishte në krye të tavolinës, Mazniku i Bashkisë që është hetuar pa sukses nga prokuroria pasi mesa duket qenka i papërmbajtur për shpenzime luksi me paratë e investitorëve. Një investim që vjen me të tillë korruptim në restorantin dhe vendin më të shtrenjtë në planet, nuk quhet investim, por krim.

Nëse ishin ‘duke vuajtur’ për të mirën e Shqipërisë, nuk ishte nevoja ta fshinin videon që nga llogaria e Nusretit e deri te shumica dërrmuese e mediave në Shqipëri, përveç portalit Syri.net.

Video u përhap si rrufe në rrjetet sociale dhe kryeministri Edi Rama sulmoi pikërisht ata që nuk i ka nën kontroll: portalet dhe qytetarët. Të presësh nga njeriu që ka ndërtuar qeverisjen më të korruptuar dhe kriminale në Shqipëri, që të pranojë ndonjë përgjegjësi, është e kotë. Por gënjeshtra që u tha shqiptarëve ishte më e rëndë. Ai tha se qeveria e tij po lodhet ditë e natë, pa gjumë, duke punuar që të sjellë investime të huaja. Qoftë edhe duke darkuar te restorantet më të shtrenjtë në planet.

Por nëse ka një fushë ku Rama ka dështuar totalisht është ajo e investimeve të huaja në vend.

Në tetë vite, shqiptarët nuk kanë parë një investim të huaj serioz në vendin e tyre. Nëse Rama është kaq i predispozuar për të mbrojtur këtë superskandal, le të dalë dhe të japë një përgjigje të thjeshtë: të tregojë një investim të huaj gjatë qeverisjes së tij.

Kaq e thjeshtë!