Berat/ Çahet në disa vende tubacioni kryesor i ujësjellësit, lë pa ujë 4 qytete të qarkut

Që prej mëngjesit të sotëm, banorët e Beratit, Bogovës, Poliçanit dhe Kuçovës janë pa ujë të pijshëm.

Moti i keq dhe reshjet e pandërprera të shiut, kanë bërë që masive dheu të bien dhe të dëmtojnë tubacionin kryesor të ujësjellësit të Bogovës.

Inxhinierët janë duke punuar për riparimin e defektit.

Burime për median bëjnë me dije se ky tubacion furnizon me ujin e pijshëm banorët e 3 qyteteve: Berat, Poliçan dhe Kuçovë.

Sipas informacioneve nga bashkitë përkatëse, mësohet se tubacioni kryesor i këtij ujësjellësi është dëmtuar në disa segmente të tij.

Në zonën ku edhe është dëmtuar tubacioni, në fshatin Kakruk, kanë shkuar punonjësit e ndërmarrjes së sh.a.Ujësjellës-Kanalizimeve Berat, që janë duke punuar për riparimin e defektit që ka lënë pa ujë 3 qytete.

E, ndërsa punonjësit e kësaj drejtorie janë duke punuar pa ndërprerje për të riparuar tubacionin e çarë, në fshatin Plirëz të Poliçanit, një tjetër çarje ka ndodhur në tubacionin e ujit të pijshëm, si pasojë e shkarjeve të dheut në këtë zonë.

Pozicioni në të cilit ndodhet tubacioni i Bogovës e bën atë gjithmonë të riskuar nga çarjet dhe dëmtimet pasi reshjet shkarkojnë mbi të masive dheu.

Burimet zyrtare pranë sh.a.Ujësjellës-Kanalizime Berat bëjnë me dije se, puna nuk do të ndërpritet deri në riparimin e tubacionit, edhe pse reshjet e dendura të shiut e vështirësojnë edhe më tepër punën e inxhinierëve.

Ujësjellës i Bogovës është ndërtuar 30-vite më parë dhe shtrihet përgjatë rrëzës së kodrave të zonës së Skraparit, ku terreni është tepër i vështirë. Gjatë stinës së dimrit, rrëshqitjet e masivëve të dheut e shkëmbinjve kanë sjellë çdo vit dëmtime serioze në tubacionin kryesor të ujit të pijshëm./ BW/