Serie A/ Benevento i dorëzohet ‘furisë’ së Atalantës

Atalanta ka regjistruar fitoren e tretë radhazi në kampionat, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin e thellë 1-4 në transfertën ndaj Beneventos dhe në këtë mënyrë të ngjitet në kuotën e 31 pikëve, në vendin e katërt të renditjes.

Josip Iliçiç ishte protagonist absolut për bergamaskët, pasi shënoi golin e parë dhe asistoi të tretin, ndërsa goleada u kompletua nga Toloi, Zapata dhe Luis Muriel, që vijon të shënojë sa herë që vjen nga pankina.

Nga ana tjetër, Benevento bëri shumë pak për të shmangur humbjen dhe arriti të barazojë rezultatin përkohësisht me anë të sulmuesit kryesor Sau, por më pas iu dorëzua furisë zikaltër.

Vlen të theksohet se mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, ndoqi ndeshjen nga pankina, pasi ishte lënë pushim nga trajneri Gasperini, ndërsa Papu Gomez nuk ishte grumbulluar fare për këtë takim, si një sinjal që marrëdhëniet me klubin janë ndërprerë përfundimisht.