Kukësi në krizë, e pranon vetë trajneri Rrahman Hallaçi

Trajneri i Kukësit, Rrahman Hallaçi, pas humbjes në ndeshjen ndaj Laçit, e pranoi se skuadra e tij po kalon një moment shumë të vështirë, por ai ka besim se do të dijë të ngrejë kokën.

4 HUMBJE NË 5 NDESHJET E FUNDIT- Moment shumë i vështirë që po kalojmë. Në momente të vështira do t’i qëndrojmë skuadrës afër. Jemi në krizë. Më vjen keq sepse skuadra prodhon lojë. Po marrim disa gola që nuk duhet t’i marrim. Është shumë e vështirë për skuadrën që të reagojë. Të ulim kokën dhe të punojmë, s’duhet të dorëzohemi. Duhet shumë kujdes, nuk ka më justifikime. Jemi përgjegjës absolut për këtë situatë të vështirë dhe të dobët.

10 GOLA TË PËSUARA NË 3 JAVË- Po gabojmë në total si skuadër. Duhet t’i pranojmë këto gjëra, nuk kemi rrugë tjetër. Po të fajësojmë dikë, do të bëjmë shumë gabim. Ka lojtarë që kanë bërë gabime individuale që na kushton shumë. Duhet të jemi në ekuilibër gjatë gjithë kohës. Një barazim do të ishte shumë i mirë për ne.

PROBLEMI I SKUADRËS- Unë e njoh mirë skuadrën, është normale që të merrja drejtimin e skuadrës dhe të vazhdoja. E njoh skuadrën më nga afër. Nuk është se repartet qëndrojnë larg njëra-tjetrës. Skuadra duhet të bëjë më mirë në fazën mbrojtje. Golin e dytë nuk duhet ta merrnim. Është kritike kjo situatë që po kalojmë.

SI ZGJIDHET SITUATA KRITIKE DHE ÇËSHTJA LIMAJ- Do të hyjmë në merkato patjetër, do të vijnë 3-4 lojtarë. Do t’i qëndrojmë afër skuadrës. Të vazhdojmë të ulim kokën. Nuk është se lojtarët që do të vijnë do të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme. Limaj është pjesë e skuadrës sonë dhe do të vazhdojë me skuadrën tonë. Momentalisht lojtari po stërvitet me U-21. Thjesht një ngërç me rinovimin e kontratës, thjesht do të zgjidhet shumë shpejt. Më mirë të jetë i qetë dhe të kthehet kur të rinovojë kontratën.