E pabesueshme/ Rama dhe Spiropali inagurojnë 7 herë të njëjtin kopsht, nuk kishte ndodhur në 108 vite shtet

Që prej goditjes nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të vitit 2019, procesi i Rindërtimit ka qenë një prej kauzave kryesore të qeverisë shqiptare.

Me dhjetëra aktivitete, konferenca, projekte, inaugurime dhe inspektime në kantierët e punës janë mbajtur nga shefi i qeverisë Rama dhe nga ministrat e tij. Gjithsesi, procesi, që duhet thenë se u godit fort nga pandemia e koronavirusit, ka mbetur ende i papërfundur dhe dhjetëra familje po e kalojnë dimrin në çadra.

Shembulli më flagrant që tregon disbalancën e madhe mes punës së kryer dhe “reklamës” që i bëhet nga qeveria është rasti i një kopshti në një fshat të Vorës.

Për të njëjtin objekt, janë bërë plot 7 postime në rrjetet sociale,  4 nga Kryeministri dhe 3 nga një ministre e qeverisë e deleguar në Vorë, Elisa Spiropali.

Por pavarësisht intensitetit të postimeve dhe inaugurimeve bajate, ndërtimi i kopshtit nuk u përmbyll në afatin që vetë shefi i qeverisë reklamonte në Facebook, pra më 26 nëntor.

Në fakt, kopshti ishte gati të hapte dyert vetëm në fillim të këtij viti, pra rreth dy muaj më vonë sesa afati i punimeve.

Ndjekësit e kryeministrit do të njiheshin me investimin e qeverisë për kopshtin “Muçaj” për herë të parë më 29 gusht të vitit të kaluar.

Ishte vetë kreu i qeverisë, që njoftonte nisjen e punimeve, ndërsa paralajmëronte se kopshti me kushte optimale do të hapte dyert më 26 nëntor.

“Kopshti “Muçaj” në Vorë, u rrënua 26 nëntorin e shkuar, por në 26 nëntorin që po vjen do të hapë dyert, i rilindur për 200 fëmijë, me kushte optimale, pa dallim nga shkollat e komunave europiane”, shkruante kryeministri më 29 gusht 2020.

Rreth një muaj më vonë, kryeministri njoftoi ndjekësit e tij se kopshti “Muçaj” po rilind më i bukur, më i madh dhe më i fortë, ndërsa rikujtonte dhe njëherë se do hapte dyert për vogëlushët më 26 nëntor.

“Kopshti “Muçaj” në Vorë, po rilind më i bukur, më i madh dhe më i fortë natyrisht. 200 fëmijë të kopshtit do të rikthehen më 26 nëntor, në mjedise të reja të projektuara sipas standardeve më të mira europiane”, shkruante Rama më 26 shtator.