Ish-doganieri dënohet për trafik droge, lënda narkotike i kalon Institutit të Qenve të Policisë

Gjykata e Sarandës ka dhënë dënimin për  dy trafikantë droge të kapur në Qafë - Botë në dy raste të veçuara.

Të dy dënimet janë dhënë  nga gjyqtari Fatmir Ndreu.

Arten Ibrahimi, 37-vjeç, ish punonjës në doganën “Tre Urat” në Përmet u dënua me 8 vjet burg për  “trafik narkotikësh në tentativë” dhe 8 vjet burg për  “trafik armësh në tentativë”.

Në bashkim të dënimeve dhe kërkesës për  gjykim të shkurtuar, ish doganieri u dënua  me 6 vjet burgim.

Shtetasi Arten Ibrahimi u kap në 21 shkurt 2020 në doganën e Qafë - Botës në tentativë për të trafikuar në Greqi rreth 35 kg marijuanë, ndërkohë që nga kontrolli në  mjet iu  gjet dhe një pistoletë TT.

Njëherësh Gjykata vendosi që  mjeti i tij tip “Toyota” Rav 4, të sekuestrohet.

Ndërkohë Arsen Hoxhaj, 41-vjeç, nga Cakrani i Fierit, person me precedentë të mëparshëm penalë, u dënua  me 12 vjet burg për  “trafik narkotikësh në tentativë” dhe pas kërkesës  për  gjykim të shkurtuar u dënua  me 8 vjet burg.

Hoxhaj është kapur në 17 janar 2020 në doganën e Qafë - Botës. Në mjetin e tij policia gjeti dhe sekuestroi 63.7 kg marijuanë.

Gjykata vendosi që kjo lëndë narkotike t’i kalojë Institutit të Përgatitjes  Qenve të Policisë ndërkohë  që u sekuestrua edhe mjeti  tip “Mitsubishi” në pronësi të tij.