'9 janari'/ Meta: Të bëjmë gjithçka që të tilla tragjedi të mos përsëriten

Presidenti Ilir Meta ka përkujtuar sot me një mesazh tragjedinë e 9 janarit 2004 në ujërat e detit Jon, ku humbën jetën 28 të rinj shqiptarë nga 15 deri në 33 vjeç.

Presidenti shkroi në Fb: “Mendimet dhe lutjet e mia janë sot për familjarët e viktimave të pafajshme të tragjedisë së 9 janarit 2004, të cilët humbën jetën në përpjekje për të gjetur një ardhme më të mirë. Të bëjmë gjithçka për të mos lejuar më të tilla tragjedi, që të përsëriten, duke u krijuar të gjitha mundësitë, në veçanti të rinjve, për të ndërtuar të ardhmen e sigurtë në Atdheun e tyre!”

Më 9 janar 2004 një gomone 12 metra e gjatë u nis nga Vlora në momentin kur deti u përfshi nga një stuhi.

Trupat e 18 burrave dhe 3 grave u gjetën pa jetë në agim nga një helicopter italian i NATO-s kurse 7 të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur. Njëmbëdhjetë persona arritën të shpëtonin, midis tyre edhe skafistët.

Tragjedia preku thellë kombin, sidomos pas një telefonate për ndihmë që iu drejtua televizioni në Shqipëri e deri tek përcjellja mortore e të rinjve.