VIDEO/ Vllaznia e nis mbarë vitin, shkodranët i shkaktojnë Teutës humbjen e parë në kampionat

Vllaznia ia del të fitojë me rezultatin minimal 1-0 supersfidën ndaj Teutës, e vlefshme për javën e 13-të në Kategorinë Superiore.

Edhe pse me 10 lojtarë për më shumë 25 minuta lojë, pas ndëshkimit me karton të kuq të autorit të golit, Ardit Hoxhaj, skuadra shkodrane arriti që ta mbronte rezultatin.

Sfida nisi mirë, për shkodranët që krijuan raste të shumta shënimi, gjatë 45 minutave të para. Mirëpo, pavarësisht dominimi, fati nuk ishte me ta dhe pjesa e parë e sfidës u mbyll me rrjeta të paprekura.

Gjithashtu edhe në të dytë, kuqeblutë u panë më kërkues dhe nuk do të vononte shumë dhe goli i avantazhit. Në minutën 59’ ishte futbollisti vlonjat (Ardit Hoxhaj), ai i cili shënoi golin për skuadrën shkodrane. Pas një aksioni mjaft të bukur,  26 vjeçari shmangu portierin Frashëri, duke dërguar topin në rrjetë.

Por, 6 minuta më vonë, Hoxhaj do të ndëshkohej me karton të kuq, për një ndërhyrje të ashpër ndaj futbollistit të Teutës, Denis Pjeshka, duke lënë të tijtë me 10 lojtarë.

Megjithatë, shkodranët arritën të mbroheshin mirë, duke mos i dhënë mundësi durrsakëve për pjesën e mbetur të takimit që të gjenin golin e barazimit.

Me këtë triumf, Vllaznia mban vendin e parë të renditjes me 29 pikë, ndërsa Teuta pëson humbjen e parë dhe ndodhet një vend më poshtë me 9 pikë më pak se shkodranët. (Syri.net/ A.Gj)