Vaksina e Pfizer/BioNTech duket efektive kundër mutacionit në variantet e reja të koronavirusit

New York – Vaksina anti-COVID e Pfizer Inc dhe BioNTech duket se funksionon kundër një mutacioni kyç në variantet e reja shumë të transmetueshme të koronavirusit të zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Afrikën e Jugut, sipas një studimi laboratorik të kryer nga prodhuesi i ilaçeve amerikane.

Studimi ende në rishikim nga Pfizer dhe shkencëtarë nga Dega Mjekësore e Universitetit të Teksasit tregoi se vaksina ishte efektive në neutralizimin e virusit me të ashtuquajturin mutacion N501Y të proteinës .

Mutacioni mund të jetë përgjegjës për një transmetueshmëri më të madhe dhe ka pasur shqetësime se mund të bëjë që virusi të shpëtojë nga neutralizimi prej antitrupave të shkaktuar nga vaksina, tha Phil Dormitzer, një nga shkencëtarët kryesorë të vaksinave virale të Pfizer.

Studimi u krye në gjakun e marrë nga njerëzit të cilëve u ishte bërë vaksina. Gjetjet e tij janë të kufizuara, sepse nuk mbledh tërësinë e mutacioneve të gjetura në cilindo prej varianteve të reja të virusit, që përhapet me shpejtësi.

Dormitzer tha se ishte inkurajuese që vaksina shfaqet efektive kundër mutacionit, si dhe në 15 mutacione të tjera ndaj të cilave kompania ka testuar më parë.

Dormitzer vuri në dukje një tjetër mutacion i gjetur në variantin e Afrikës së Jugut, i quajtur mutacion E484K, është gjithashtu shqetësues.

Studiuesit planifikojnë të kryejnë teste të ngjashme për të parë nëse vaksina është efektive kundër mutacioneve të tjera të gjetura në Mbretërinë e bashkuar dhe në vendet e Afrikës së Jugut dhe shpresojnë të kenë më shumë të dhëna brenda disa javësh.

Shkencëtarët kanë shprehur shqetësimin se vaksinat që po shpërndahen mund të mos jenë në gjendje të mbrojnë nga variantet e reja, veçanërisht nga ai që u shfaq në Afrikën e Jugut.

Simon Clarke, një profesor i asociuar në mikrobiologjinë qelizore në Universitetin e Reading, tha këtë javë se ndërsa të dy variantet kishin disa tipare të reja të përbashkëta, ai që gjendet në Afrikën e Jugut "ka një numër mutacionesh shtesë" që përfshinin ndryshime më të gjera në proteina.

Vaksina Pfizer / BioNTech dhe ajo nga Moderna Inc, të cilat përdorin teknologjinë RNA, mund të rregullohen shpejt për të adresuar mutacionet e reja të një virusi nëse është e nevojshme. Shkencëtarët kanë sugjeruar që ndryshimet mund të bëhen brenda më pak se gjashtë javësh.