Ish-ministri i LSI i bashkohet PS

Ish-ministri Nasip Naço ka braktisur LSI-në dhe i është bashkuar Partisë Socialiste.

Lajmin e largimit nga LSI, Naco e bëri në krah të ministrit Blendi Klosi, ndërsa tha se forca politike që ai ka qenë është një eksperiment politik.

 “Berati dhe Shqipria nuk kanë më nevojë për eksperimente politike.  Kanë nevojë të ecin përpara. Kam qenë pjesë e kabinetit qeveritar nga LSI bashkë me PS. Sot jam me z.Klosi dhe në të ardhmen do të jem në krah të z.Klosi”, tha Naço.

Në legjislaturën XVIII, Naço u zgjidh deputet i Qarkut te Beratit, për Grupin Parlamentar të LSI-së, dhe në periudhën 2009 – 2011, ushtron detyrën e Zëvendëskryetarit të Kuvendit të Shqipërisë.

Në vitet 2011 – 2012, ai ushtron detyrën e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës. Më pas rizgjidhet Zëvendëskryetar i Kuvendit të Shqipërisë në korrik 2012.

Naço ka ushtruar disa detyra të rëndësishme shtetërore si: Prokuror në Prokurorinë e Rrethit Berat, Drejtor i Shërbimit Informativ në Ministrin e Brendshme, Prokuror pranë zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, Shef Sektori kundër Akteve Terroriste dhe Krimeve kundër Personit, pranë Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm, Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Nasip Naço ka marrë pjesë në disa seminare dhe kurse trajnuese, të organizuara nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, nga Shkolla e Magjistraturës dhe jashtë vendit në Itali, Poloni, SHBA, Danimarkë, Gjermani, me tematika të ndryshme në fushën e së drejtës penale e procedurës penale, të përmbarimit gjyqësor, të policisë, etj.

Naço në vitin 2013 zgjidhet Ministër i Drejtësisë i Shqipërisë.