'Fake news' për vizitën në Tiranë, Buzhala i kërkon falje Vjosa Osmanit dhe merr masa në redaksi

Një shkrim i mbushur plot mashtrime, i botuar në median “Expres” të Kosovës për shpenzimet e presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Tiranë, u shfrytëzua me shpejtësi edhe nga mediat pranë kryeministrit Edi Rama në Shqipëri, për të vazhduar denigrimin e saj.

Në shkrimin në fjalë thuhej, se Vjosa Osmani personalisht ka shpenzuar 1 mijë euro vetëm për ushqimin e saj, por menjëherë pas kësaj ka ardhur edhe përgënjeshtrimi me fakte.

Vjosa Osmani nëpërmjet një statusi në FB ka demontuar këtë lajm të rremë, duke theksuar se shpenzimet në këtë shumë kanë qenë për të gjithë delegacionin me 8 zyrtarë të cilët qëndruan 3 ditë në Shqipëri.

Nga ana tjetër ajo ka nxjerrë edhe shpenzimet e delegacioneve të Kadri Veselit si kryetar i Kuvendit të Kosovës për 2019-ën, që vetëm për dreka kalon shifrën e 29 mijë eurove.

“Të dashur qytetarë,

Gjatë ditëve në vijim, ashtu siç ka ndodhur shpeshherë deri më tani, do të përballeni me një sërë propagandash. Një të tillë mund ta lexoni sot në mëngjes tek Gazeta Express, e cila thotë se Osmani mori 1 mijë euro mëditje për 3 ditë në Shqipëri. Kjo nuk është e vërtetë.

Nuk i kam marrë unë 1 mijë euro, por ashtu siç përcaktohet me ligj, të gjithë anëtarët e delegacionit nga presidenca (sepse kemi qenë 8, e jo vetëm unë) kanë marrë nga 39 euro në ditë mëditje, të cilat e kanë krijuar totalin që po përmendet.

Edhe pse në përgjigjen e kthyer për Express nga zyra për media potencohet qartë se ajo shumë është për të gjithë anëtarët e delegacionit, Express dezinformon se gjoja unë kam marrë e vetme ato 1 mijë euro.

Përndryshe kjo është një ndër vizitat e rralla kur shpenzohet kaq pak në një vizitë zyrtare. Së shpejti do të publikohen shpenzimet e që të gjithëve dhe do të shihni krahasimin se si të tjerët kanë shpenzuar. Qofshin ato nga qindra mijëra euro mëditje, udhëtime, përdorim i kartelës zyrtare etj etj.

Për momentin, mund ta shihni këtë krahasim, për shpenzimet e mia si Kryetare e Kuvendit (i bazuar në raportet zyrtare të Kuvendit) dhe shumë shpejt do ta publikoj edhe raportin e shpenzimeve të krahasuara në Presidencë (Vini re: Shpenzimet janë për komplet kabinetin e jo shpenzimet e mia individuale).

Edhe pse kurrë s’kam dashur të merrem me këto çështje përkundër faktit që kam shpenzuar rreth 30 fish më pak se të tjerët, propagandës së ulët do t’i përgjigjemi me fakte. Prandaj, ju lus që të keni kujdes kurdo që lexoni “lajme”, të tilla dhe paraprakisht t’i konfirmoni ato me raportet zyrtare të institucioneve lidhur me ato shpenzime.

Ne do të jemi transparent me secilin cent të shpenzuar, por në të njëjtën kohë do t’u japim qasje mediave për të parë edhe sa kanë shpenzuar ata që ishin para nesh, përkundër ndërhyrjeve kriminale që po kemi kohë pas kohe për të parandaluar një gjë të tillë”, shkroi Vjosa Osmani në faqen e vetë në FB, menjëherë pas publikimit të këtij lajmi të rremë në “Ekspres” dhe që u ribotua me shpejtësi në mediat afër Edi Ramës në Tiranë.

Menjëherë pas këtij reagimi, botuesi dhe drejtuesi i gazetës “Express” në Kosovë, Berat Buzhala, i ka kërkuar ndjesë Presidentes në detyrë dhe ka njoftuar se janë marrë masa për redaktorët përgjegjës që kanë lejuar këtë “fake news”.

“Gazeta Express dhe unë personalisht i kërkojmë falje Vjosa Osmanit për këtë gabim. Në mediumin të cilin unë e drejtoj, nuk është standard që qëndrimet e mia editoriale, ose të medias, me e e ndiku raportimin korrekt dhe të bazuar në fakte. Ky shkrim për Vjosën është nën minimumin e standardeve tona. Gazetarët dhe redaktorët përgjegjës do të duhej më e pasë të qartë këtë gjë.

Për shkak të këtij lëshimi dhe për shkak të një lëshimi të javës së kaluar, të shtunën, lidhur me Lëvizjen Vetëvedosja, ne kemi marrë masa ndaj përgjegjëseve në kompaninë tonë, që do të duhej punën e tyre të bënin më mirë. Po e përsëris, qëndrimet editoriale asnjëherë nuk duhet të përzihen me raportimin ditor.

Edhe njëherë i kërkojmë falje sinqerisht Vjosa Osmanit”, shkruhet në reagimin e tij në Fb.