Ademi, lidhje intime me të dy motrat që vrau, bashkëshortja ishte në dijeni

Avokati Arben Gramo, që mbron çështjen e Përparim Ademit,  vrasësit të dyfishtë tek zona e Astirit në Tiranë, tha se Prokuroria e ndryshoi veprën nga vrasje në rrethana cilësuese në vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare.

"Gjykata e  pranoi kërkesën e prokurorisë për arrest me bur, - tha avokati pas dhënies së masës së sigurisë, klientit të tij. -  Kjo është vepër penale që parashikohet nga veprat më të rëndë, vetë personi e ka pranuar autorësinë.

Prokuroria e akuzoi Ademin fillimisht për vrasje në rrethana cilësuese, ndërsa sot kërkoi “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.

Ai është pohues për faktin penal dhe e ka pranuar versionin që jep organi procedues. Ademi është i rënduar psikologjikisht dhe shëndeti i tij nuk është i mirë", tha avokati.

Ademi vrau gruan me të cilën bashkëjetonte Zhaneta Metanin, por edhe motrën e saj Kristina Bardhi. Para grupit hetimor, Ademi tha se e kishte kryer krimin për shkak të xhelozisë, ndërkohë që kishte pasur marrëdhënie me të dyja motrat krahas martesës zyrtare që kishte. 

Kjo marrëdhënie kishte filluar me Kristinën shumë vite më parë, ndërsa pas ndarjes Ademi është lidhur me motrën tjetër, Zhanetën. 

Përpara gjyqtarit Gend Hoxha, Ademi pretendoi se kishte dhe një fëmijë me njërën prej viktimave, por që nuk e ka regjistruar në emrin e tij.

Marrëdhënia paralele me Zhanetën vazhdonte edhe pse ishte i martuar dhe dyshimet se ajo kishte lidhje me dikë tjetër, e revoltoi.

Por një deklaratë ka bërë edhe bashkëshortja e ligjshme e Ademit në deklaratën e saj para grupit hetimor ku është shprehur se ka qenë në dijeni të tradhtisë së bashkëshortit me të dyja viktimat, motrat.

Sipas saj, për të mbajtur familjen të bashkuar ajo ka heshtur dhe është detyruar t’i bëjë mikesha të dy motrat e deri ka pasur edhe hyrje dhe dalje familjare me to duke bërë edhe udhëtime së bashku.