Më shumë propagandë nga Rama sesa zgjidhje për vaksinimin

Kryeministri Edi Rama e nisi vitin ashtu siç e kishte mbyllur: me propagandë.

Ai doli përpara shqiptarëve me një sfond të përgatitur në detaje: ‘Shqipëria buzëqesh’ lexohej pas tij.

Dmth fushata për vaksinimin kishte prodhuar menjëherë spotin, logon dhe reklamat.

Por ku janë vaksinat?

Rama tha se ka arritur një marrëveshje me kompaninë Pfizer dhe u shqetësua më shumë të tregojë se vizita e tij në Nju Jork nuk ishte kot.

Por çfarë ka arritur konkretisht? Bëhet fjalë për 10 mijë doza vaksina që do mbërrijnë në janar. Më pas në shkurt do vijnë 30 mijë të tjera. Për më vonë, nuk dihet asgjë.

Pra nuk ka një plan konkret se si do bëhet vaksinimi, por thjesht një blerje vaksinash në sasi të papërfillshme sa për të treguar se ato kanë mbërritur.

Kjo ka rëndësi pasi vaksina e Pfizer së pari kërkon që të funksionojë shumë mirë ruajtja e tyre në temperatura të ulëta. Janë të shumta rastet e raportimeve kur këto doza kanë shkuar dëm prej keqruajtjes dhe keqshpërndarjes.

E dyta dhe më e rëndësishmja, ajo duhet të merret në dy doza, çka do të thotë se personat që e kanë marrë në janar, duhet ta marrin patjetër brenda kohës së caktuar në shkurt. Për shkak se mungojnë vaksinat, edhe në vendet që kanë porositur miliona, ka pasur rekomandime që të zgjatet koha kur merret doza e dytë. Por ekspertët thonë se kjo ia ul vlerën vaksinës.

Prandaj çdo sasi e blerë e vaksinës, duhet të pjesëtohet me dy.

Në këtë mënyrë, Shqipëria do marrë një sasi vaksine sa mbetjet e mbetjeve të shteteve të tjera.

Por sipas ekspertëve, shtete të vogla si Shqipëria kanë pasur mundësi që ta zgjidhin procesin e vaksinimit më kollaj, pasi kanë popullsi shumë më të vogël. Një shembull ideal është Izraeli, që ka vaksinuar 1 milionë njerëz deri më tani dhe brenda marsit do mbyllë procesin e vaksinimit. Arsyeja është insistimi i liderëve të këtij vendi që në mesin e vitit të shkuar për të blerë vaksinën. Madje thonë se kryeministri Netanjahu e telefononte bosin e Pfizer edhe në dy të natës.

Ne nuk mund të krahasohemi me Izraelin, por kështu pa një plan konkret se kur do vijnë vaksinat dhe me një sasi kaq të vogël, vaksinimi masiv mund të shtyhet në kalendat greke.

Madje Rama insistoi sërish se vaksinimi do bëhet në stadium. Me kaq sasi vaksinash, mjaftojnë dhomëzat e klinikave.

 

Por duket se kjo nuk ka rëndësi, rëndësi ka propaganda dhe posterat, ku lajmërohet se Shqipëria po buzëqesh.

Ajo si gjithmonë do të buzëqeshë e fundit në Europë. Si gjithmonë.