Mjeku Erion Dasho kundër Akademisë së Shkencave: Studimi juaj i pavlerë…

Akademia e Shkencave publikoi ditën e djeshme të dhënat e një studimi të kryer prej saj sipas të cilit, 50% e qytetarëve në Tiranë e kanë kaluar COVID-19 dhe kanë fituar imunitet.

Këto shifra të cilat tejkalojnë të gjithë vendet në botë ngjallën shumë dyshime dhe reagime. Ditën e sotme është shfaqur skeptik edhe mjeku i njohur infeksionist, Erion Dasho, i cili thotë se ky studim nuk ka asnjë vlerë duke ju referuar metodologjisë që është ndjekur.

Nëpërmjet një shënimi në ‘Facebook’, Dasho argumenton se nëse kampionimi i 800 personave të testuar nuk ka qenë rastësor, atëherë përfundimi se 50% e qytetarëve të Tiranës janë imunë ndaj COVID nuk ka vlerë.

Postimi i plotë i mjekut Dasho:

50%?! JO! PO SA??!! Para disa ditësh, në një status kritikova mendimin shkencor shqiptar gjatë epidemisë së COVID dhe propozova që për një periudhë 5-vjeçare çdo kërkim shkencor në shëndetësinë shqiptare duhet të bashkëdrejtohet nga një kërkues i huaj.

Kjo sepse në mjekësinë tonë prej vitesh ka humbur profesionalizmi. Është e vështirë të gjesh midis kërkuesve shqiptarë persona të aftë të hartojnë dhe zbatojnë rigorozisht një protokoll kërkimor. Herë për shkak të paditurisë dhe herë për shkak të konveniencës (në se zbaton një metodologji rigoroze nuk mund të manipulohen rezultatet e studimit).

Nuk mund të bënte përjashtim nga ky rregull studimi i djeshëm i akademisë së shkencave. Nga njëra anë raportohet një prevalencë 50% e imunizimit për COVID dhe, nga ana tjetër, nuk përshkruhet as metodologjia e kampionimit dhe as ajo e testimit.

Nëse kampionimi i 800 personave të testuar nuk ka qënë rastësor, atëherë përfundimi se 50% e qytetarëve të Tiranës janë imunë ndaj COVID nuk ka vlerë. Nëse është ripërsëritur i njëjti përafrim si në muajin qershor kur u përzgjodhën pacientë dhe personel i qendrave shëndetësore, rezultati i shpallur dje është shumë larg prej së vërtetës.

Epidemia e COVID po na jep shembuj të përditshëm se sistemi shëndetësor shqiptar ka nevojë për ndërhyrje të menjëhershme në të gjithë nivelet:

Politika dhe strategji

Organizim shëndetësor

Ofrim shërbimesh parandaluese, kuruese e rehabilituese

Edukim shëndetësor bazë dhe i vazhdueshëm

Kërkim shkencor modern

Në se nuk merren masa urgjente, strategjike dhe gjithëpërfshirëse, shëndetësia shqiptare do të vazhdojë të endet në të njëjtat hulli dhe do të vazhdojë të prodhojë atë që shohim sot: kujdes shëndetësor në nivel afrikan!

Le të shfrytëzojmë momentumin e krijuar gjatë pandemisë për të diskutuar se çfarë sistemi shëndetësor do t’u ofrohet shqiptarëve në shekullin e 21-të! Qytetarët e meritojnë këtë!!!