Martini: Nëse arbitrat nuk do të gabonin, Teuta do ishte e para

Trajneri i Teutës, Edi Martini, u shfaq mjfati kënaqur pas fitores 0-3 që skuadra e tij arriti në transfertë ndaj Kukësit. Në prononcimin pas sfidës, tekniku shkodran deklaroi:

 “Ishte ndeshje shumë e sikletshme. Donim të fitonim 3 pikë. Donim mos prishnim serinë pozitive. Kur është kundër një rivali direkt kënaqësia është më e madhe.

Jemi më lartë se të gjithë skuadrat për sa i përket mbrojtjes dhe qarkullimit të topit. Kemi çeduar pak në sulm, unë e kam thënë edhe më përpara që është çështje kohe shënimi i golave. Pengu i këtij viti është që duhet të kishim pasur shumë pikë më tepër.

Kukësi ka lojtarë shumë të mirë, që kur kanë topin bëhen shumë të vështirë për t’u markuar. Normalisht sot ishte një ndeshje shumë e fortë. Mos të harrojmë që kur ke Kukësin përballë është e vështirë. Patëm raste të dyja skuadrat në pjesën e parë. Sot edhe fati ishte me ne.

Nuk është kollaj të ndërtosh një skuadër nga fillimi. Ne kemi qenë skuadër e konsoliduar. Ne kemi shumë pikë të humbura. Rreth 8 pikë të humbura nga arbitrimi. Në qoftë se do të kisha pasur ato pikë, do të isha në vendin e parë. Gjithsesi jemi në vend të dytë, shumë afër vendit të parë. Të ulemi me këmbë në tokë dhe të shtojmë rritmini e stërvitjes. Duhet përqendrim maksimal dhe besim të vetja.

Gabimet e arbitrave nuk janë të qëllimshme, fati ka dashur të jenë kundër nesh. Futbolli është lloj gabimesh, siç gabojmë ne, gabojnë dhe arbitrat”, u shpreh trajneri Martini në Super Sport.