Përdorimi i forcave të posaçme policore ditën e zgjedhjeve, Vukaj: të mos lejohen, këta kanë vrarë njerëz

Përdorimi i forcave të posaçme policore dhe ushtarake gjatë ditës së zgjedhjeve, ishte çështja e nxehtë e debatit të Komisionit Rregullator të Zgjedhjeve.

Gjatë debatit është folur në lidhe me përdorimin e policisë kriminale, forcave komando, ‘Shigjeta’, ‘Shqiponja’, ato të RENEA dhe FNSH.

Pikërisht këtu ka qenë dhe debati i madh, pasi përfaqësuesja e opozitës, Helga Vukaj ka këmbëngulur që këto forca të mos përdoren në asnjë lloj mënyre gjatë ditës së zgjedhjeve.

Sipas Vukajt, këto forca të posaçme kohët e fundit kanë rrahur dhe dhunuar qytetarë në mënyrë barbare, duke shkuar edhe në vrasjen e tyre jashtë çdo kriteri.

‘Në referim të titullit të kësaj dispozite ndalimi i forcave dhe strukturave të posaçme gjej me vend të shtoj propozimin e mos përdorimit edhe të këtyre forcave dhe strukturave të posaçme pasi jo vetëm nuk hyn në fushën e tyre  të veprimtarisë por për faktin e pabesueshmërisë së publikut për kontributin e tyre në mbrojtje të rendit dhe qetësisë publike.

Është fakt i njohur botërisht ngjarjet e kohëve të fundit e në përsëritje të forcave apo strukturave të posaçme në Policinë e shtetit të cilat kanë rrahur barbarisht e mbi të gjitha kanë vrarë jashtë çdo kriteri njerëz të pafajshëm.

Janë përdorur për të hedhur pa kriter mbi njerëz të papërfshirë apo mbi kontingjente personash krejtësisht të parrezikshëm, duke dëshmuar përdorjen e tyre politikisht dhe aspak me profesionalizëm’, ka theksuar anëtarja e Komisionit Rregullator të Zgjedhjeve, Helga Vukaj.